Ndërlidhjet

Në Mitrovicën Veriore u mbajt protestë kundër bashkimit të qytetit


Mitrovicë e Veriut, 1 shkurt 2019.

Në Mitrovicën Veriore u mbajt të premten një protestë me moton “Kundër aneksimit të Mitrovicës”.

Protesta u thirr nga Rade Grbiq, rektori i të ashtuquajturit Universitet i Prishtinës me seli në Mitrovicë, por që nga autoritetet e Kosovës njihet si universitet paralel, Nemanja Bishevac, këshilltar komunal nga radhët e Listës Serbe, dhe Millan Ivanoviq, drejtor i Qendrës Klinike në Mitrovicën Veriore.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, parti kjo serbe, e cila e ka mbështetur protestën e sotme, tha se ky nuk është tubim politik, por “është luftë për një të nesërme më të mirë”.

“Dje kanë ndodhur taksat, sot aneksimi ose, në përkthim, okupimi i Mitrovicës, nesër i Zveçanit, pasnesër i Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Ata dëshirojnë të na e bëjnë këtë që ta bashkojnë Mitrovicën dhe që nesër ne të mos jemi. Nuk do ta lejojmë këtë”, tha Rakiq.

Në protestë u tha se autoritetet e Kosovës po përgatiten “të grabisin Trepçën”. Gjithashtu u kërkua që të arrestuarit lidhur me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, të lirohen, si dhe të hiqet fletarrestimi për të dyshuarin në këtë rast Millan Radojçiq.

Protesta përfundoi me një marshim deri tek ura kryesore mbi lumin Ibër.

Protesta në Mitrovicën Veriore erdhi si reagim edhe pas nismës së kryetarit të Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, për bashkimin e qytetit të Mitrovicës në një komunë të vetme.

Kjo nismë, në formë peticioni, është miratuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës Jugore dhe i është përcjellë Kuvendit të Kosovës dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se “Mitrovica do të bashkohet”, çka është përcjellë me reagime të përfaqësuesve serbë ne veri të Mitrovicës.

Qeveria e Kosovës nuk e ka mbështetur këtë nismë të Bahtirit, pasi që formimi i dy komunave në qytetin e Mitrovicës është bazuar në planin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit për statusin e Kosovës dhe në procesin e decentralizimit.

Protesta e sotme po ashtu u organizua vetëm një ditë para mbajtjes së protestës së paralajmëruar “#1 nga 5 milionë” në Mitrovicën Veriore, e cila është në vazhdën e protestave antiqeveritare me këtë moto që po organizohen për çdo javë në qytete të ndryshme të Serbisë.

XS
SM
MD
LG