Ndërlidhjet

Limaj: Dialogu me Serbinë s'ka kuptim të vazhdojë pa marrëveshje


Fatmir Limaj

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, nuk ka kuptim të vazhdojë pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe obliguese për të dyja vendet, që do të rezultojë me njohje reciproke, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëkryesues i Ekipit Negociator në bisedimet me Serbinë.

Këto komente, Limaj i bëri gjatë një konference për media të premten në Prishtinë.

“Ne po shkojmë drejt etapës së fundit të dialogut, që do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, njohjen brenda marrëveshjes, anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe pranimin e Kosovës nga vendet e Bashkimit Evropian”, tha Limaj.

Limaj dhe kryesuesi tjetër i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti, takuan këtë javë në Bruksel zyrtarë të Bashkimit Evropian për, siç u tha, rishikimin e përparimit të arritur deri më tani në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të premten, Limaj foli edhe në lidhje me mospajtimet brenda koalicionit qeverisës në Kosovë rreth kërkesës së BE-së dhe SHBA-së për pezullimin e tarifës doganore 100 për qind, të vendosur mbi importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Limaj tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për këtë taksë është vendim shtetëror dhe se "shteti do të reagojë rreth vendimeve të veta kur ta shohë të arsyeshme të reagojë".

Lexoni edhe këtë: "Zemërimi" amerikan me tarifat

XS
SM
MD
LG