Ndërlidhjet

Erdogan kritikon "heshtjen" e SHBA-së për vrasjen e Khashoggit


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar “mosveprimin” e Shteteve të Bashkuara lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll muaj më parë.

Ai i ka thënë transmetuesit shtetëror turk, TRT, më 3 shkurt se ai nuk e kupton “heshtjen” e SHBA-së pas ngjarjes që ka ndodhur.

“Ne dëshirojmë të sqarohet gjithçka sepse ka ndodhur një mizori, një vrasje. Vrasja e Kashoggit nuk është e zakonshme”, është shprehur ai.

Khashoggi, kritik i mirënjohur i Qeverisë saudite, që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara, është vrarë në konsullatën saudite më 2 tetor të vitit të kaluar.

Trupi i tij nuk është gjetur ende.

Sauditët fillimisht kanë mohuar vrasjen e Khashoggit në konsullatë, mirëpo pas të dhënave të fuqishme dhe dënimit ndërkombëtar, ata kanë pranuar vrasjen, duke thënë se ajo ka qenë rezultat i një “operacioni të ashpër”.

Megjithatë, Riadi ka mohuar pretendimet se princi saudit, Mohammad Bin Salman ka qenë i lidhur me vrasjen.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj udhëheqësisë saudite, dhe është zotuar për të ruajtur bashkëpunimin, duke mos rrezikur lidhjet ekonomike, çka potencialisht do të mund të tensiononin lidhjet mes dy shteteve.

XS
SM
MD
LG