Ndërlidhjet

Thaçi takon Haradinajn para se të niset drejt SHBA-së


Fotografi nga takimi Thaçi-Haradinaj.
Fotografi nga takimi Thaçi-Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, meqë do të marrë pjesë në Lutjet Kombëtare të Mëngjesit.

Ai ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ai do të jetë pjesë e kësaj ceremonie “bashkë me liderë të shumtë botërorë”.

Thaçi ka theksuar se miqësia e Kosovës me SHBA-në dhe vlerat perëndimore “do të jenë përjetësisht përkushtim i Republikës së Kosovës”.

Para nisjes në SHBA, presidenti Thaçi është pritur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Në vazhdën e konsultimeve për agjendën shtetërore, sot prita në takim Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, para udhëtimit të tij në ShBA”, ka deklaruar ai në një postim në Facebook.

Kryeministri Haradianj ka njoftuar që nuk do të vizitojë SHBA-në për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, për shkak se një gjë e tillë sipas tij nuk e përshtatshme pas klimës së krijuar me taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Ndërkohë ditë më parë, Shpend Ahmeti, njëri nga bashkëkryesuesit e Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, ka thënë për mediat në Kosovë se nga takimet që ka pasur me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, zyrtarëve të institucioneve të Kosovës u është rekomanduar që të mos bëjnë kërkesa për viza amerikane përderisa në fuqi është taksa prej 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Lutjet Kombëtare të Mëngjesit në SHBA mbahen çdo vit dhe në to marrin pjesë politikanë të lartë amerikanë dhe mysafirë të huaj.

Përveç presidentit Thaçi, pjesë e kësaj ceremonie do të jetë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

XS
SM
MD
LG