Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese mbyll rastin Abrashi-Ahmeti


Shpend Ahmeti dhe Arban Abrashi
Shpend Ahmeti dhe Arban Abrashi

Arban Abrashi, ish-kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale, e ka humbur rastin e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, përmes të cilit ka pretenduar të vë në pikëpyetje postin e kryetarit aktual, Shpend Ahmeti.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shkon në favor të mbetjes edhe më tej të Shpend Ahmetit në postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe i pamundëson zgjedhjet e parakohshme në Prishtinë.

Abrashi ka pretenduar se Gjykata Supreme, por edhe Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, në procedurat e zhvilluara për shqyrtimin e ankesave dhe apeleve të tij, kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

Pretendimet e Abrashit se është dëmtuar në procesin zgjedhor janë vlerësuar të pabaza nga Gjykata Kushtetuese.

Gara zgjedhore për Prishtinën, në vitin 2017, ndërmjet Ahmetit dhe Abrashit, ka qenë mjaft e ngushtë. Ahmeti e ka fituar postin e të parit të Prishtinës me rreth 200 vota më shumë.

XS
SM
MD
LG