Ndërlidhjet

Iraku i zemëruar me idenë e Trumpit për bazën amerikane


Presidenti i Irakut, Barham Salih.

Presidenti i Irakut, Barham Salih, tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk ka kërkuar leje nga Bagdadi që trupat amerikane të stacionuara në Irak, "të vëzhgojnë Iranin".

Salih i bëri këto komente të hënën, pasi Trump tha në një intervistë televizive se SHBA-ja "ka një bazë të jashtëzakonshme" në Irak që ai synon ta mbajë, sepse dëshiron të jetë në gjendje "të vëzhgojë Iranin".

Në Irak ndodhen rreth 5,000 trupa amerikane për të trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar forcat irakiane të sigurisë.

Trupat amerikane ndodhen atje në kuadër të një marrëveshjeje midis dy vendeve dhe me një mision specifik të luftimit të terrorizmit, tha Salih në një forum në Bagdad, duke shtuar se ato duhet të mbeten në atë mision.

Salih po ashtu tha se Kushtetuta e Irakut e ndalon shfrytëzimin e këtij vendi si bazë për të kërcënuar interesat apo sigurinë e vendeve fqinje.

"Mos e mbingarkoni Irakun me çështjet e juaja", tha Salih.

"Është në interes të Irakut që të ketë marrëdhënie të mira me Iranin dhe vendet e tjera fqinje", shtoi ai.

Në një intervistë për CBS-in, të transmetuar të dielën, Trump tha se është e rëndësishme që SHBA-ja ta vazhdojë praninë në Irak, në mënyrë që Uashingtoni "të mbajë një sy mbi Iranin, sepse Irani është një problem i madh".

Me gjasë duke iu referuar bazës ajrore Al-Asad në perëndim të Irakut, Trump tha se objekti "ka pozicion të përkryer për të parë mbi pjesë të ndryshme" të Lindjes së Mesme.

Baza i strehon trupat amerikane, por i përket ushtrisë së Irakut.

XS
SM
MD
LG