Ndërlidhjet

Komiteti i Senatit miraton të nominuarin e Trumpit për Prokuror të Përgjithshëm


William Barr.

Komiteti Gjyqësor i Senatit ka miratuar të enjten William Barr, të nominuarin e presidentit amerikan, Donald Trump, për Prokuror të Përgjithshëm, dhe ka dërguar nominimin e tij në gjithë Senatin për votim final.

Megjithatë Komiteti ka pasur mendime të ndara për Barr.

Republikanët e kanë cilësuar atë të kualifikuar, derisa demokratët, që kanë votuar kundër tij, kanë thënë se janë të shqetësuar se ai mund të mos bëjë publike të gjeturat e Këshilltarit Special, Robert Mueller në hetimet që po kryen për mundësinë e përfshirjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Barr, një avokat korporatash, që ka punuar si prokuror nën udhëheqësinë e ish-presidentit amerikan, George H.W. Bush, në fillim të viteve 1990, është cilësuar i familjarizuar me punën në Departamentin e Drejtësisë dhe nuk i ka borxh karrierën e tij presidentit Trump.

Ai pritet të fitojë konfirmimin përfundimtar në dhomën e kontrolluar nga republikanët.

Në rast se konfirmohet, pavarësia e Barr mund të testohet kur Mueller të shpejtojë hetimet e tij rreth mundësisë së lidhjeve mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë në zgjedhjet presidenciale.

Presidenti republikan ka kritikuar vazhdimisht hetimet, duke i cilësuar si “gjueti shtrigash” dhe ka mohuar ndonjë bashkëpunim me Moskën.

Barr pati kritikuar hetimet në një dokument të Departamentit të Drejtësisë vitin e kaluar, mirëpo ai i ka thënë Komitetit Gjyqësor, në një seancë dëgjimore tre javë më parë, se ai do të lejojë Muellerin të përfundojë punën e tij dhe se do të bëjë publike të gjeturat e tij aq sa do të ketë mundësi.

Barr ka refuzuar të premtojë se do të publikojë raportin e plotë, duke cituar rregulloret e Departamentit të Drejtësisë, që inkurajojnë prokurorët të mos kritikojnë personat që nuk përfundojnë si të akuzuar për vepra penale.

XS
SM
MD
LG