Qindra qytetarë në Drenas protestuan të premten, duke kërkuar drejtësi lidhur me rastin e raportuar të abuzimit seksual të një vajze të kësaj komune.
Protestuesit bënë thirrje që rastet e abuzimeve seksuale të raportohen.
Ata kërkuan që personat e përfshirë në rastin e raportuar të ndiqen penalisht.
Abuzimi seksual i vajzës nga Drenasi është thënë të ketë filluar kur ajo ka qenë 16 vjeçe, fillimisht nga profesori i saj.
Pas denoncimit në polici nga viktima, hetuesi policor është thënë se ka abuzuar seksualisht me të dhe, në janar të këtij viti, e ka detyruar të kryejë abort të padëshiruar në një klinikë private në Prishtinë.
Autoritetet e rendit e kanë arrestuar zyrtarin policor dhe mësimdhënësin.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, tha përmes një postimi në Twitter se "është i impersionuar që sheh kaq shumë qytetarë të Kosovës që mblidhen së bashku, për të kërkuar fundin e dhunës ndaj grave".
Një protestë për këtë rast është mbajtur të enjten edhe në Prishtinë, pranë Stacionit Qendër të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme po për këtë çështje.