Ndërlidhjet

SHBA e mbështet rolin e Kabulit në bisedimet e paqes


Ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, në Kabul.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, në Kabul.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, tha se është e rëndësishme që Qeveria e Afganistanit të përfshihet në bisedimet për t'i dhënë fund luftës 17-vjeçare në këtë vend.

Shanahan, i cili qëndroi të hënën në Afganistan, në një vizitë të paparalajmëruar, takoi presidentin afgan, Ashraf Ghani, dhe trupat amerikane atje.

Qeveria e Ghanit është lënë jashtë negociatave për paqe midis përfaqësuesve talibanë dhe të dërguarve amerikanë, për shkak të refuzimit të talibanëve për të negociuar me qeverinë, të cilën e cilësojnë si "kukull" të SHBA-së.

"Është e rëndësishme që Qeveria afgane të përfshihet në diskutimet sa i përket Afganistanit", u tha Shanahan gazetarëve që udhëtuan me të.

"Afganët duhet të vendosin se si do të duket Afganistani në të ardhmen. Nuk bëhet fjalë për SHBA-në, por për Afganistanin", tha ai.

Shanahan, i cili po e ushtron detyrën e sekretarit të Mbrojtjes prejse James Mattis ka dhënë dorëheqje në dhjetor, për shkak të dallimeve me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, tha se nuk mund të ofrojë asnjë garanci, sepse i dërguari amerikan, Zalmay Khalilzad, po i udhëheq bisedimet.

Shanahan tha se qëllim i udhëtimit të tij ka qenë të kuptojë situatën në terren dhe të informojë Trumpin në lidhje me të.

Ai po ashtu tha se nuk ka udhëzime nga Shtëpia e Bardhë për të reduktuar trupat amerikane në Afganistan, nga 14,000 sa janë aktualisht.

Ka pasur raporte se Trump do që të zvogëlojë në gjysmë numrin e forcave amerikane atje.

Trump tashmë ka njoftuar se do t'i tërheqë të 2,000 ushtarët amerikanë nga Siria.

Lexoni edhe këtë: Arrihet struktura e marrëveshjes për paqe në Afganistan

XS
SM
MD
LG