Ndërlidhjet

Pompeo: SHBA nuk e fsheh të vërtetën për rastin Khashoggi


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i mohoi akuzat se administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të fshehë të vërtetën rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Pretendimet, të ngritura nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë, pasojnë dështimin e administratës Trump për të dërguar një raport në Kongres, që do përcaktonte se kush është përgjegjës për vrasjen.

Vitin e kaluar, disa republikanë dhe demokratë të Senatit kanë bërë thirrje për hetimin e vdekjes së Khashoggit dhe të përfshirjes së mundshme të princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, në vrasje.

Hetimet janë kërkuar në bazë të ligjit të njohur si Akti Global Magnitsky.

Akti ka kërkuar që presidenti t'i dërgojë Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë një raport mbi përgjegjësinë e princit deri më 8 shkurt.

Ka pasur dyshime se Bin Salman ka dhënë urdhër për vrasje.

Arabia Saudite është aleatja më e ngushtë e SHBA-së në rajon.

Në një letër dërguar kryetarit demokrat të Komitetit, Bob Menendez, Pompeo ka thënë se Trump ka kërkuar hetime të shpejta të vrasjes së Khashoggit.

Khashoggi, kolumnist i gazetës Washington Post, i cili ka qenë kritik i familjes mbretërore saudite, është vrarë në muajin tetor, pasi ka hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.

"Amerika nuk po e fsheh të vërtetën për vrasjen", tha Pompeo.

Senatori Tim Kaine, demokrat nga Virxhinia - shtetin ku ka jetuar Khashoggi - e ka akuzuar administratën për fshehje të së vërtetës.

XS
SM
MD
LG