Ndërlidhjet

Përkundër kërkesës së SHBA-së, Haradinaj thotë se taksa nuk hiqet


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sërish është shprehur kundër heqjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Deklarata u bë pas një takimi joformal të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës të martën në mbrëmje.

Takimi u zhvillua disa orë pasi zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara, përmes një letre drejtuar presidentit, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, shprehën zhgënjimin e tyre lidhur me mospezullimin e taksës doganore, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë së bashku, Kosova vlerëson miqësinë tonë kaq ulët, aq sa të injorojë këshillën tonë” thuhet në letrën të cilën e kanë nënshkruar, Ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, Ndihmëssekretarja e Mbrojtjes, Laura Cooper dhe Zv/drejtor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Earth.

Megjithatë kryeministri Haradinaj theksoi se taksa nuk do të hiqet nga qeveria që ai udhëheqë deri në njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Unë jam thellë i bindur se Amerika është e vendosur të stabilizojë Kosovën dhe rajonin. Ne nuk e bëjmë këtë prej arrogance por, Serbia 20 vjet nuk ka qenë në rregull në raportet Kosovë- Serbi. Është koha e fundit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje por pa diskutime për territore” ka thënë Haradinaj.

XS
SM
MD
LG