Ndërlidhjet

FSB kërkon zgjatjen e paraburgimit për spiunin e dyshuar amerikan


Paul Whelan
Paul Whelan

Shërbimi i Sigurisë Federale të Rusisë (FSB) ka kërkuar nga një gjykatë në Moskë që t’ia zgjasë paraburgimin ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, i cili po mbahet në Rusi nën akuza për spiunazh.

Avokati mbrojtës i Whelan, Vladimir Zherebenkov, i tha agjencisë së lajmeve Interfax se FSB-ja ka zgjatur hetimin në rastin e Whelan deri më 28 maj dhe ka kërkuar nga gjykata në qarkun Lefortovo, që ta zgjasë paraburgimin e klientit të tij deri në atë datë.

Zherebenkov tha se gjykata do të marrë sot vendim lidhur me këtë çështje.

Whelan, i cili ka shtetësi amerikane, irlandeze, kanadeze dhe britanike, është arrestuar më 28 dhjetor, 2018, në Moskë nën akuza për spiunazh.

Nëse shpallet fajtor për këto akuza ai mund të dënohet deri më 20 vjet burgim. Familja e tij thotë se ai është i pafajshëm dhe se kishte vizituar Moskën për të marrë pjesë në një dasmë.

Zyrtarët rusë nuk kanë dhënë detaje lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj Whelan.

Whelan ka punuar si drejtor global i sigurisë për një kompani amerikane për auto-pjesë në kohën e arrestimit.

Avokati i tij, Zherebenkov ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm dhe më herët ka sugjeruar se zyrtarët rusë ka gjasa ta konsiderojnë mundësinë e shkëmbimit të tij me Marina Butina, një grua ruse e cila është deklaruar fajtore ndaj akuzave që ka ngritur SHBA-ja ndaj saj, se ka vepruar si agjente e huaj.

XS
SM
MD
LG