Ndërlidhjet

Trump shtyn afatin për rritjen e tarifave në mallrat kineze


Delegacioni i presidentit amerikan, Donald Trump (djathtas) dhe ekipi i liderit kinez, Xi Jinping. Foto nga arkivi.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do të shtyjë rritjen e planifikuar të tarifave në mallrat kineze, duke përmendur “përparimin e konsiderueshëm” në negociatat me Pekinin.

“Jam i lumtur t’iu njoftoj se Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të konsiderueshëm në bisedimet tona me Kinën në çështje strukturale, duke përfshirë mbrojtjen e pronës intelektuale, transferimin e teknologjisë, agrikulturës, monedhave dhe aspekteve tjera”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Unë do të shtyj rritjen e tarifave amerikane, që ishte planifikuar të ndodhte më 1 mars. Duke parashikuar se të dyja palët do të arrijnë përparim shtesë, ne do të planifikojmë mbajtjen e një samiti mes presidentit kinez Xi dhe meje, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje. Një fundjavë shumë e mirë për SHBA-në dhe Kinën”, ka shtuar ai.

Trump dhe presidenti kinez, Xi Jinping janë takuar më parë në Mar-a-Lago, e cila është pronë e presidentit amerikan në Florida.

Trump është takuar më 22 shkurt me zëvendës-kryeministrin kinez, Liu He, i cili është nisur në Uashington, në kuadër të bisedimeve me negociatorët amerikanë për tregti.

Trump kishte planifikuar rritjen e tarifave për mallrat kineze, në vlerë të 200 miliardë dollarëve, nga 10 për qind sa janë tani, në 25 për qind, nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 1 mars.

Lufta tregtare në mes të dy gjigantëve globalë ka ndikuar në tregjet e aksioneve dhe ka ngritur shqetësimet për luftë tregtare globale.

Trump ka arsyetuar vënien e masave ndaj Kinës, duke përmendur praktikat e padrejta të autoriteteve kineze ndaj SHBA-së, si dhe ka kërkuar ndryshime rrënjësore nga ky shtet, sa i përket vjedhjes së pronës intelektuale dhe eliminimit të pengesave për kompanitë amerikane në tregun e Kinës.

XS
SM
MD
LG