Ndërlidhjet

Ndërpriten procedurat për ndërtimin e hidrocentralit në Pejë


Kryeministri Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës ka ndërprerë të gjitha procedurat sa i takon ndërtimit të hidrocentralit në rrjedhën e Lumëbardhit në grykën e Rugovës në Pejë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi për vendimin duke thënë se ka kërkuar ndërprerjen procedurave deri në krijimin pasqyrës së qartë se cili mund të jetë ndikimi në mjedis i ndërtimit të këtij hidrocentrali.

“Projektet, të cilat bien ndesh me interesat e banorëve të zonës së Rugovës, asnjëherë nuk do të kalojnë”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në Facebook.

Kundër ndërtimit të hidrocentralit në rrjedhën e Lumëbardhit është protestuar të hënën në Pejë. Shumë qytetarë i janë bashkuar protestës e cila për qëllim kishte parandalimin e ndërtimit të një hidrocentrali në lumin kryesor të qytetit.

Ndërtimin e hidrocentralit e ka kundërshtuar edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri si dhe partitë më të mëdha në këtë qytet, AAK, PDK dhe Vetëvendosje.

Në vitin 2013 kishte filluar Iniciativa për realizimin e një projekti të tillë, ku asokohe kompania “Kelkos Energy”, kishte nënshkruar një marrëveshje me Komunën e Pejës për ndërtimin e disa hidrocentraleve në Rugovë.

XS
SM
MD
LG