Ndërlidhjet

Rezolutat e SHBA-së dhe Rusisë për Venezuelën pritet të dështojnë në OKB


Një protestues me flamur të Venezuelës.
Një protestues me flamur të Venezuelës.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë të enjten disa rezoluta të ndryshme, të prezantuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, lidhur me krizën në Venezuelë.

Një rezolute i duhen nëntë vota për t’u miratuar dhe asnjë votë kundër nga anëtarët e përhershëm, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania.

Agjencia e lajmeve, Reuters ka cituar disa diplomatë të kenë thënë se versioni amerikan ka mundësi që të marrë të nëntë votat, mirëpo do të përballet me kundërshtimin e Rusisë.

Agjencitë e lajmeve kanë thënë se rezoluta amerikane i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që të ndihmojë në garantimin e zgjedhjeve presidenciale “të lira, të drejta dhe të besueshme” nën vëzhgim ndërkombëtar. Aty përmendet edhe se duhet siguruar anëtarët opozitarë në këtë shtet, të cilët mbështeten nga Uashingtoni.

Përveç tjerash, në rezolutë theksohet edhe nevoja e depërtimit të ndihmave në Venezuelë.

Presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro ka bllokuar hyrjen e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ato janë pjesë e planeve të Uashingtonit për ta larguar atë nga zyra.

Uashingtoni dhe Moska janë duke përkrahur palë të ndryshme në shtetin e Amerikës Jugore.

Shtetet e Bashkuara përkrahin liderin opozitar, Juan Guaido, i cili ka shpallur veten president të përkohshëm derisa Rusia është e lidhur me Maduron.

Maduro ka nisur udhëheqësinë më 2013, derisa ka fituar një tjetër mandat presidencial në maj të vitit 2018, të cilat janë bojkotuar nga opozita dhe janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar.

Ai është përballur me akuza edhe për abuzime me të drejta të njeriut si dhe për keqmenaxhim të ekonomisë së Venezuelës.

XS
SM
MD
LG