Ndërlidhjet

Lideri opozitar zotohet se do të kthehet në Venezuelë


Juan Guaido.

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido ka thënë se do të kthehet në shtetin e Amerikës Jugore dhe u ka bërë thirrje mbështetesve që më 4 mars të rinisin protestat kundër presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro.

“Shihemi nesër”, ka thënë Guaido në një transmetim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale më 3 mars.

Ai ka paralajmëruar autoritetet e Venezuelës se çdo përpjekje për ta arrestuar atë “do të jetë nga gabimet e fundit” që kryen qeveria.

Aktivistët opozitarë kanë organizuar takime në Karakas dhe qytete tjera.

Guaido ka shkuar së fundmi në Ekuador, në kuadër të turneut të tij në shtete e Amerikës Latine, në mënyrë që të fitojë mbështetje për të larguar Maduron nga pushteti.

Guaido, i cili drejton Asamblenë Kombëtare, të kontrolluar nga opozita, ka shpallur veten president të përkohshëm në muajin janar, me ç’rast ka fituar mbështetjen e fuqive të mëdha, përfshirë, Shtetet e Bashkuara, disa kombe evropiane, si dhe shtete në rajon.

Maduro, i cili ka përkrahjen e Rusisë, ka nisur udhëheqësinë më 2013, pas vdekjes së Hugo Chavez, derisa është betuar për mandatin e dytë në muajin janar të këtij viti.

Megjithatë, zgjedhjet e mbajtura në muajin maj të vitit të kaluar janë bojkotuar nga opozita dhe ka pasur pretendime për mashtrime me vota.

Ai është kritikuar për abuzim me të drejta të njeriut, si dhe për keqmenaxhim të ekonomisë së Venezuelës.

XS
SM
MD
LG