Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme


Ilustrim.
Ilustrim.

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë të enjten një senacë të jashtëzakonshme, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në këtë seancë pritet të diskutohet për platformën e Delegacionit shtetëror të Kosocës në dialogun me Serbinë.

“Nesër (e enjte), kryeministri (Ramush Haradinaj) ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për platformën për detyrat dhe përgjegjësitë e Delegacionit shtetëror”, tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi, kreu i këtij institucioni, Kadri Veseli.

Delegacioni shtetëror, i cili bashkëkryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, në bashkëpunim me Presidencën dhe Kryeministrinë kanë hartuar një platformë, ku përcaktohen detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e këtij delegacioni, në përputhje me Ligjin për dialogun, i cili është në procedurë parlamentare.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, kërkon që dy palët të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila veç tjerash, do t’u hapte rrugë drejt integrimeve evropiane të dyja shteteve.

Dialogu mes këtyre dy shteteve, aktualisht është bllokuar për shkak të taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Autoritetet e Serbisë kanë thënë se negociatat nuk mund të vazhdojnë pa heqjen e kësaj mase derisa kryeministri Haradinaj ka thënë se taksa largohet kur Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospezullimi i kësaj mase përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.

XS
SM
MD
LG