Ndërlidhjet

Hoxha: Pas zgjedhjeve në PE presim vendimmarrje për vizat


Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha.

Kosova po pret që në Parlamentin Evropian (PE) të përfundojnë zgjedhjet, në mënyrë që të mund të lëvizet përpara me një vendimmarrje, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Schengen.

Kështu tha ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, gjatë një konference për media.

“Po shpresojmë dhe po kërkojmë që pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian të krijohet një momentum i ri dhe në takimin e qershorit të Këshillit të ministrave (të Bashkimit Evropian) të kemi një vendim”, tha Hoxha.

Zgjedhjet në Parlamentin Evropian do të mbahen gjatë muajit maj.

Ministrja Hoxha tha se Kosova gjendet në hapin e fundit sa i përket liberalizimit të vizave, duke theksuar se shteti ka përmbushur të gjitha kriteret që i janë vënë për këtë proces.

Ajo tha se tani është faza ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, duhet të votojnë veç e veç për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe sipas saj, shtetet e BE-së po presin që të përfundojnë zgjedhjet në PE dhe më pas të marrin vendim.

“Duke parë që jemi në prag të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, asnjë nga shtetet anëtare nuk janë optimiste që do të mund të lëvizim përpara para këtyre zgjedhjeve”, tha ministrja Hoxha.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

XS
SM
MD
LG