Ndërlidhjet

SHBA nuk planifikon të shtojë shpenzimet për aleatët që kanë trupa amerikane


Ushtruesi i detyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, ka hedhur poshtë raportimet se Pentagoni planifikon t’i detyrojë forcat aleate që të paguajnë më shumë, në mënyrë që të kenë prezencë të forcave amerikane në territorin e tyre.

Shanahan ka thënë më 14 mars para Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura se aleatët duhet të paguajnë për trupat amerikane që gjenden në territoret e tyre, mirëpo ka shtuar se kompensimi zakonisht kryhet në forma të ndryshme, duke përfshirë ofrimin e ndihmës për vendet e luftërave, siç është Afganistani.

Mediat amerikane kanë raportuar se presidenti amerikan, Donald Trump është duke shtyrë përpara idenë e pagesës “plus 50 për qind”, për shtetet si Gjermania, Japonia, Italia dhe Koreja Jugore, në të cilat kanë të angazhuar trupa amerikane.

Sipas raportimeve, kjo formulë nënkupton se vendi nikoqir i këtyre forcave duhet të paguajë të gjitha shpenzimet e banimit të pjesëtarëve amerikanë, si dhe pagesë tjetër plus 50 për qind, për shkak të privilegjit që kanë vendet përkatëse që kanë forca të SHBA-së.

Mirëpo Shanahan i ka thënë këtij paneli të Senatit se raportet kanë qenë “gabuara”.

“Ne nuk do të krijojmë biznes dhe as bamirësi”, ka thënë Shanahan.

“Pagesa mund të kryhet në mënyra të ndryshme. Në fund të ditës, njerëzit kanë nevojë të kenë pjesën që u takon”, është shprehur ai.

“Secili nuk mund të kontribuojë. Nuk ka të bëjë me shpenzimet plus 50 për qind”.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar shpesh aleatët e NATO-s, Japoninë dhe Korenë Jugore që nuk po kontribuojnë mjaftueshëm, në mënyrë që të kenë bazat amerikane në shtetet e tyre.

XS
SM
MD
LG