Ndërlidhjet

Burgim i përjetshëm për vrasësin e Donjeta Pajazitajt


Ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë e shpalli fajtor dhe e dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin me inicialet N.P., për veprën penale "vrasje e rëndë".

Rasti ka të bëjë me Donjeta Pajazitajn, e cila u vra në vitin 2015.

Pajazitaj ishte zhdukur më 9 nëntor, 2015, ndërsa ishte gjetur e vrarë gjashtë javë më vonë.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se i pandehuri "shpallet fajtor", pasi ka "privuar nga jeta viktimën D.P.".

Rasti ka ndodhur në Bjeshkët e Strellcit, Komuna e Deçanit.

I pandehuri N.P., më herët, ishte liruar nga Gjykata Themelore në Pejë, për shkak të mungesës së provave.

Por, kjo gjykatë tha se deri tek aktgjykimi dënues ka ardhur pas sigurimit të provave të reja që “kanë munguar më parë".

I pandehuri me inicialet N.P. është kushëri i familjes Pajazitaj.

Pala mbrojtëse e të pandehurit ka të drejtë që ta apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në dhjetor të vitit 2015.

Në aktakuzë, Prokuroria pretendonte se i akuzuari N.P. - tashmë i shpallur fajtor - e kishte ndaluar veturën dhe marrë me vete Donjetën, në kohën kur ajo ishte duke shkuar në punë.

Më tej, sipas aktakuzës, ai e kishte dërguar Donjetën në bjeshkë, ku e kishte qëlluar me dy plumba në kokë.

XS
SM
MD
LG