Ndërlidhjet

PE konfirmon mandatin për liberalizimin e vizave për Kosovën


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.

Parlamenti Evropian ka votuar të enjten për të vazhduar mandatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në muajin maj.

Rraportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë në një postim në Twitter se tani i takon Këshillit Evropian të bëjë punën e tij.

”Shumica kanë votuar në të mirë të liberalizimit të vizave për Kosovën. I bëjmë thirrje Këshillit Evropian të veprojë TANI”, është shprehur ajo.

Përndryshe Parlamenti Evropian ka diskutuar për këtë çështje të mërkurën mbrëma dhe në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve evropianë, ka pasur dallime të qarta në qëndrime për këtë çështje.

Fajon e ka thënë të mërkrën se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.

Deri kur viza për qytetarët e Kosovës?

Pas votimit të së enjtes ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e ka konsideruar “të padrejtë, frustruese, dhe dekurajuese” regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat”, ka thënë Haradinaj në një postim në Facebook.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Evropian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.

XS
SM
MD
LG