Ndërlidhjet

Dhjetëra të vdekur nga vërshimet në Afganistan


Vërshime në Afganistan, fotografi nga arkivi.

Vërshimet kanë lënë të vdekur të paktën 35 persona në Afganistan dhe kanë shkatërruar shtëpi. Po ashtu, vërshimet kanë ndërprerë qasjen në disa fshatra përgjatë vendit, thanë zyrtarët.

Të paktën 12 persona vdiqën në provincën veriore Faryab dhe 10 të tjerë në provincën perëndimore të Heratit, tha Hashmat Bahaduri, zëdhënës në Autoritetin e Menaxhimit të Fatkeqësive Kombëtare.

Tetë persona të tjerë kanë vdekur në provincën Badghis dhe pesë të tjerë në Balkh, tha Bahaduri, duke shtuar se mbi 3 mijë shtëpi janë shkatërruar nga vërshimet që nisën më 29 mars.

Mbi 10 persona po ashtu vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Vërshimet kanë shkatërruar shtëpi, vende historike, mijëra hektarë tokë bujqësore, ura dhe autostrada, tha Jaliani Farhad, zëdhënës i provincës Herat.

Mir Gulabuddin Miri, drejtori i Gjysmëhënës në Afganistan, tha se qasja në disa zona është ndërprerë, duke bërë të pamundur që ekipet e shpëtimit të arrijnë te njerëzit që janë prekur nga vërshimet.

“Shkatërrimi është i madh. Mbi 12 zona në provincë janë goditur rëndë, njerëzit kanë humbur shtëpitë e tyre. Ne, deri më tani, kemi mundur t’u ofrojmë atyre vetëm ushqim dhe disa batanije”, tha ai.

Në javët e fundit, Afganistani është përballur me reshje të borës dhe të shiut.

Shirat e rrëmbyeshëm dhe vërshimet gjithashtu kanë goditur disa provinca në Iranin fqinj, ku 44 persona janë raportuar se kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar.

XS
SM
MD
LG