Ndërlidhjet

Vriten tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë afgane


Ilustrim

Një zyrtar afgan tha se militantët talibanë kanë vrarë 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë gjatë një sulmi në një pikë-kontrolli në provincën Balkh të Afganistanit.

Zëdhënësi i policisë në këtë rajon, Adil Shah Adil i tha Shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë se nga sulmi mbetën të plagosur edhe pesë pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Përgjegjësinë ende nuk e ka marrë askush, mirëpo zëdhënësi i policisë i fajësoi talibanët për sulmin. Grupi militant është mjaft aktiv në këtë rajon. Në të kaluarën talibanët kanë ndërmarrë një sërë sulmesh në pika-kontrolli të forcave të sigurisë.

Grupi militant ka shtuar sulmet ndaj forcave të sigurisë afgane pavarësisht bisedimeve që talibanëve po i zhvillojnë me përfaqësuesin e SHBA-së, Zalmay Khalilzad, në përpjekje për arritjen e një marrëveshje paqeje që do të përfundonte luftën 17 vjeçare në Afganistan.

I dërguari i SHBA-së, Zalmay Khalilzad shpreson se viti 2019 do të jetë “vit i paqes” për Afganistanin.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Khalilzad tha se ekziston “mundësia dhe gatishmëria për paqe”.

Ai tha se po bën përpjekjet më të mira për të informuar qeverinë afgane lidhur me procesin negociator me talibanët.

Grupi militant nuk e pranon qeverinë afgane në bisedime sepse e quan atë “kukull të perendimit”

Ndërkohë, zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi, tha të martën se forcat afgane kanë rimarrë kontrollin në qarkun Arghanj Khaw të provincës Badakhshan.

Talibanët e morën nën kontroll këtë qark pas një përleshje të ashpër me forcat afgane ku mbetën të vrarë të paktën 12 pjesëtarë të sigurisë.

XS
SM
MD
LG