Ndërlidhjet

Demokratët rrisin presionin për publikimin e raportit të Muellerit


Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kontrollohet nga demokratët, ka miratuar lëshimin e thirrjeve të detyrueshme për gjyq, në mënyrë që të sigurojë raportin e plotë dhe dëshmi të tjera që lidhen me hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller rreth rolit të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara më 2016.

Komiteti ka autorizuar kryesuesin, Jerrold Nadler që të lëshojë këto lloje thirrjesh për Departamentin amerikan të Drejtësisë, që të publikohet raporti i plotë.

Të përfshira në këto thirrje do të jenë materialet që janë përdorur për hetimet e kryera nga Mueller.

Ky hap i lejon Nadlerit që të kërkojë dokumente dhe dëshmi nga pesë ish-ndihmës të presidentit amerikan, Donald Trump, duke përfshirë ish-këshilltarin e tij politik, Steve Bannon dhe ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Donald McGahn.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve i patën dhënë afat Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr që deri më 2 prill të publikojë raportin e plotë në Kongres.

Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ka plotësuar këtë kërkesë, derisa Barr i ka thënë kryesuesit Nadler se një version i redaktuar do të publikohet në mesin e muajit prill.

Mirëpo demokratët kanë shfaqur frikën se Barr, që është emëruar së fundmi nga presidenti Trump, do të shfrytëzojë procesin e redaktimit për të fshehur ndonjë të dhënë që tregon diçka në dëm të presidentit.

“Administrata e Trumpit ka një ide. Ata dëshirojnë të redaktojnë raportin e Muellerit para se ta dorëzojnë në Kongres”, ka thënë Nadler.

Mueller ka përfunduar hetimet kur ka dorëzuar raportin më 22 mars. Barr më pas i ka dorëzuar Kongresit një përmbledhje prej 4 faqeve me “përfundimet kyçe”.

Barr ka thënë se këshilltari special nuk ka gjetur se fushata e Trumpit ka qenë në koordinim me Rusinë për të fituar zgjedhjet dhe nuk është arritur tek ndonjë përfundim se Trump ka penguar drejtësinë.

XS
SM
MD
LG