Ndërlidhjet

Dalin rezultatet e para të hetimit për rrëzimin e aeroplanit etiopian


Ilustrim
Ilustrim

Pilotët e aeroplanit të kompanisë ajrore të Etiopisë, nuk kanë qenë në gjendje të kontrollonin aeroplanin derisa ai po binte në tokë.

Aeroplani ka pësuar “rënie të lirë” para se të përplasej në tokë.

Pavarësisht përpjekjeve të tyre, pilotët "nuk ishin në gjendje të kontrollonin aeroplanin", tha ministrja e Transportit të Etiopisë, Dagmawit Moges.

Sipas një raporti paraprak, para rrëzimit, pilotët “vazhdimisht” kanë ndjekur procedurat e rekomanduara nga prodhuesi “Boing”.

Ministrja Moges tha se “ekuipazhi ka kryer në mënyrë të përsëritur procedurat e dhëna nga prodhuesi por nuk kanë qenë në gjendje të kontrollojnë aeroplanin”.

Më 10 mars, një aeroplan Boeing Max 8 nga Etiopia, u rrëzua duke vrarë 157 persona në bord.

Ky ishte aksidenti i dytë i këtij lloji të aeroplanëve për një periudhë të shkurtë kohore.

Në Tetor të vitit të kaluar, një aeroplan i Indonezisë u rrëzua duke lënë të vrarë 189 persona në bord.

Shumica e shteteve, përfshirë Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të pezullojnë fluturimet me këtë lloj të aeroplanëve derisa të bëhen të ditura detajet e dy incidenteve të fundit në Etiopi dhe Indonezi.

Hetuesit kanë gjetur ngjashmëri të mëdha në të dyja fluturimet që pësuan aksident.

Ekspertët besojnë se një sistem i ri i kontrollit të fluturimit (MCAS), në aeroplanë, mund të ketë qenë një faktor në të dy rrëzimet, përfshirë pamundësinë e pilotëve për të mbizotëruar atë.

XS
SM
MD
LG