Ndërlidhjet

SHBA rrit përpjekjet për sigurimin e paqes në Afganistan


Islamabad, 5 prill 2019.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për paqe me talibanët në Afganistan arriti të premten në Pakistan.

Zalmay Khalilzad takoi atje ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Shah Mehmood Qureshi, i cili përsëriti "përkushtimin" e vendit të tij për procesin e paqes, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme në Islamabad.

Pakistani, të cilin Uashingtoni dhe Kabuli e akuzojnë për strehimin e udhëheqësve talibanë, shihet si lojtar kyç në sigurimin e një marrëveshjeje për paqe, e cila do t'i jepte fund luftës gati 18-vjeçare në Afganistan.

Khalilzad do të mbajë takime edhe me udhëheqësit kryesorë civilë dhe ushtarakë të Pakistanit gjatë vizitës së tij.

Ai ka mbajtur disa raunde bisedimesh me talibanët në Katar.

Por, Qeveria në Afganistan është lënë jashtë tryezës së negociatave, pasi talibanët e cilësojnë atë si "kukull të SHBA-së" dhe refuzojnë të takohen me të.

Talibanët thonë se do t'i nisin negociatat me Qeverinë afgane pasi të arrihet pajtim për datën e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.

Trupat amerikane kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001, disa javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.

XS
SM
MD
LG