Ndërlidhjet

Paraburgoset një i dyshuar për pjesëmarrje në grupe terroriste


Ilustrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar të mërkurën se të pandehurit me iniciale M.I, i është caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer veprën penale, organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Kjo gjykatë ka thënë të ketë marrë këtë vendim, pas kërkesës që i është bërë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore nga Prokuroria Speciale e Kosovës për caktimin e një mase ndaj këtij të dyshuari.

Kjo gjykatë ka konsideruar se një masë e tillë është e nevojshme për të parandaluar ikjen e të dyshuarit, i cili është shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përveç kësaj, Gjykata ka njoftuar në një komunikatë për media se ai është duke u kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për dyshime të njëjta.

Muajin e kaluar, Gjykata Penale e Shkupit i ka dënuar me 45 vjet burgim shtatë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë marrë pjesë në luftimet e grupit militant, Shtetit Islamik.

Safet Ramadani u dënua me 9 vjet burgim, ndërsa Elmedin Osmani, Ahmet Xhengiz, Benjamin Feto, Ibrahim Shabani dhe Almir Mirtovski me nga 6 vjet burgim.

Përndryshe, numri i kosovarëve që janë bërë pjesë e luftës së Sirisë filloi të rritet në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013.

Nga viti 2012 e deri me tani, një numër i madh i grave iu bashkëngjiten burrave kosovarë që shkuan për të luftuar në Siri e Irak, përkrah grupit militant, Shteti Islamik.

Policia e Kosovës ka njoftuar muaj më parë se në këto zona të konfliktit vazhdojnë të mbesin më shumë se 150 shtetas të Kosovës.

XS
SM
MD
LG