Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës do të ndajë fonde për Notre Dame, opozita kritikon vendimin


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës ndarjen e një donacioni për renovimin e Katedrales Notre Dame në Francë, në shenjë mirënjohje për ndihmën që i është dhënë në vazhdimësi Kosovës.

Këtë deklaratë, Haradinaj e bëri gjatë takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donatorëve, me ç'rast shprehu mirënjohje për ndihmën e donatorëve për 20 vite radhazi në Kosovë.

Katedralja mesjetare Notre-Dame, në zemër të Parisit, u përfshi nga zjarri i madh dy ditë më parë. Zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, të vjetër 850 vjet, përfshirë dy kullat e saj, porse maja dhe çatia u shembën.

Por, propozimi i Haradinajt po kritikohet nga përfaqësuesit e partive opozitare. Kreu i Partisë Social-Demokrate, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkruar në Facebook se mjetet do të duhej ndarë për rastet sociale në Kosovë.

“Fondet të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë ti ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparu. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata”, ka shkruar Ahmeti.

Edhe deputeti i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dalë kundër këtij vendimi. Ai ka shkruar në Facebook, se Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj duke komentuar qëndrimet e përfaqësuesve të opozitës ka thënë se “të gjithë duhet të kenë kujdes për deklarimet që bëjnë”.

“I dëgjova disa deklarata të Shpendit dhe Lumirit. Ky është gjest nuk është që ne e renovojmë atë sepse ju e dini sa kushton renovimi i saj. Nuk e kanë mirë ata që mundohet të iu shëndoshin zemrat të varfërve. Në raste të caktuara edhe Franca i shëron njerëzit tanë. Sot në Francë strehohen dhjetra mijëra qytetarë të vendit tonë”, ka deklaruar Haradinaj në një prononcim për media.

Liderë botërorë dhe personalitete të njohura kanë shprehur vullnetin për të ndarë fonde që ndihmojnë në rindërtimin e katedrales.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojë katedralen brenda pesë vjetësh, duke premtuar se "do të bëhet edhe më e bukur".

XS
SM
MD
LG