Ndërlidhjet

Burri vret gruan, nusen e djalit dhe veten në Prishtinë


Hyrja e ndërtesës në Prishtinë ku dyshohet se ka ndodhur vrasja e trefishtë.

Tre persona humbën jetën të hënën në Prishtinë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 13:20, policia ka marrë informacionin për vdekje të dyshimtë në rrugën 'Bill Clinton' në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se nga arma e zjarrit janë vrarë tre persona".

"Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht, njësitet policore janë duke punuar në sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, tha Ahmeti.

Duke folur për gazetarët në Prishtinë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se viktimat janë: një grua e lindur më 1991, një tjetër grua e lindur më 1959 dhe një burrë i lindur më 1958.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, tha për Radion Evropa e Lirë se burri dyshohet se ka vrarë gruan e djalit dhe gruan e tij dhe se më pas është vetëvrarë.

Prokurorët janë në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet në lidhje me rastin.

XS
SM
MD
LG