Ndërlidhjet

Sulmet në Shri Lankë dyshohet se lidhen me një rrjet ndërkombëtar


Shri Lankë
Shri Lankë

Vala e sulmeve që vrau 290 njerëz të dielën në Shri Lankë u krye me mbështetjen e një rrjeti ndërkombëtar, thanë zyrtarët.

Qeveria fajësoi grupin lokal xhihadist, Jamath, edhe pse askush nuk e mori ende përgjegjësinë.

Sulmet vetëvrasëse në kisha dhe hotele lanë edhe rreth 500 persona të plagosur.

Policia arrestoi 24 njerëz në lidhje me to, ndërsa Zyra e Presidentit të Shri Lankës shpalli gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.

Gjendja e tillë i jep policisë dhe ushtrisë kompetenca të gjera për të ndaluar dhe marrë në pyetje njerëz.

Tri kisha në Negombo, Baticaloa dhe Kolombo ishin në shënjestër të sulmeve, ashtu si edhe hotelet Shangri-La, Kingsbury dhe Cinnamon Grand në kryeqytetin Kolombo.

Zyrtarët thanë se të gjitha sulmet u kryen nga bombardues vetëvrasës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Rajitha Senaratne, tha se autoritetet besojnë se sulmuesit kanë pasur mbështetje ndërkombëtare.

"Ne nuk besojmë se këto sulme janë kryer nga një grup njerëzish që kanë qenë të mbyllur në këtë vend", tha Senaratne.

"Është një rrjet ndërkombëtar, pa të cilin këto sulme nuk kanë mundur të ndodhin", shtoi ai.

Shumica dërrmuese e të vrarëve mendohet të jenë shtetas të Shri Lankës, përfshirë shumë të krishterë që vdiqën gjatë ceremonive në kisha, me rastin e Festës së Pashkëve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shri Lankës tha se beson se 35 të huaj janë në mesin e të vdekurve.

XS
SM
MD
LG