Ndërlidhjet

Nga shpërthimet në Shri Lankë vriten 15 persona


Shri Lankë.
Shri Lankë.

Policia në Shri Lankë thotë se ka gjetur 15 trupa, përfshirë këtu gjashtë fëmijë, pas shpërthimeve në një shtëpi, ku forcat policore po e bastisnin nën dyshimin për lidhje me sulmet terroriste të dielën e kaluar.

Zëdhënësi i policisë, Rowan Gunasekara tha sot se zyrtarët policorë, të mbështetur edhe nga ushtria, kishin rrethuar një shtëpi në qytetin Sainthamaruthu, teksa janë dëgjuar një sërë shpërthimesh.

Nga brendësia e ndërtesës së rrethuar nga policia, janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, tha ky zëdhënës.

“Ne kemi kontrolluar shtëpinë dhe kemi gjetur 15 trupa, 12 prej të cilëve ishin brenda shtëpisë, ndërkaq tre trupa të tjerë jashtë saj”, tha Gunasekara, duke shtuar se tri gra ishin në mesin e të vrarëve.

Policia tha se beson se një apo më shumë sulmues vetëvrasës janë përgjegjës për këto shpërthime.

Forcat e sigurisë, të cilët kanë hyrë në shtëpinë pas shpërthimeve, kanë gjetur eksplozivë, detonatorë, uniforma ushtarake dhe flamuj të grupit militant Shteti Islamik (IS), thanë zyrtarët.

IS-i mori përgjegjësinë për sulmet e 21 prillit në hotelet në Colombo, por edhe në kishat, ku besimtarët ishin mbledhur për ceremonitë e organizuara për Pashkët. Nga këto sulme, mbetën të vrarë 359 persona dhe 500 të tjerë u plagosën.

XS
SM
MD
LG