Ndërlidhjet

Ministri i Jashtëm iranian planifikon të vizitojë Korenë e Veriut


Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Media shtetërore iraniane thotë se ministri i Jashtëm, Mohammad Javad Zarif po planifikon të vizitojë Korenë e Veriut, teksa këto dy shtete po përballen me sanksione të ashpra të Shteteve të Bashkuara.

“Data për këtë udhëtim do të vendoset së shpejti dhe do të bëhet publike”, citohet të ketë thënë për agjencinë IRNA, ministri i Jashtëm, Zarif. Kjo agjenci nuk dha më shumë detaje.

Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj Iranit, që prej vitit të kaluar, kur presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e arritur më 2015.

Më 21 prill, Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka vendosur se nuk do të rinovojë përjashtimet nga sanksionet ndaj blerësve të naftës iraniane, një përpjekje kjo për të ulur në zero eksportet e naftës së Iranit.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë ashpërsuar sanksionet ndaj Koresë së Veriut, me qëllim që t’i bëjnë presion që të heqë dorë nga armët bërthamore.

Në samitin ndërmjet Trumpit dhe liderit verikorena, Kim Jong Un, nuk u arrit asnjë marrëveshje, për shkak të kërkesave të Penjanit që SHBA-ja të heqë menjëherë sanksionet, por dy palët nuk u pajtuan lidhur me atë se nga çka duhet të heqë dorë Koreja e Veriut, në rast se hiqen sanksionet.

Top diplomati i Koresë së Veriut, Ri Yong Hu kishte vizituar Iranin gushtin e kaluar dhe një delegacion parlamentar i Iranit, po ashtu kishte qëndruar në Korenë e Veriut dhjetorin e kaluar.

XS
SM
MD
LG