Ndërlidhjet

Kosnett: Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim tregtar ndërmjet komuniteteve


Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett ka vizituar Komunën e Graçanicës dhe të Parteshit, që banohen me shumicë serbe.

Gjatë kësaj vizite, Kosnett është takuar me kryetarin e Graçanicës Sërxhan Popoviq dhe atë të Parteshit, Dragan Petkoviq si dhe me përfaqësuesueset e Asociacionit të Grave në Biznes, një iniciativë multi-etnike që mbështetet nga USAID-i.

“Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim tregtar ndërmjet komuniteteve për të ndërtuar një të ardhme prosperuese për të gjithë”, ka shkruar në profilin e tij në Twitter, ambasadori Kosnett.

Kjo është hera e dytë që brenda një periudhe të shkurtër ambasadori Kosnett viziton Graçanicën.

Më 28 mars, gjatë vizitës në këtë komunë, ambasadori Kosnett kishte bërë thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përkitazi me Kosovën e Serbinë, së voni qeveria ime ka shpenzuar shumë kohë në përpjekje për ti bindur udhëheqësit e Kosovës për ta pezulluar taksën mbi mallrat serbe dhe për ti bindur Kosovën e Serbinë për t’ju kthyer dialogut. E di se procesi ka shkaktuar ankth për të ardhmen, por besojmë se është çasti i duhur për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimisht për ti normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve”, kishte thënë ambasadori Kosnett.

XS
SM
MD
LG