Ndërlidhjet

Mogherini: Presioni ndaj gazetarisë së lirë po shënon rritje


Shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka thënë se është në rritje presioni ndaj gazetarisë së lirë dhe të pavarur. Bashkimi Evropian, sipas saj, ripohon vendosmërinë për të mbrojtur lirinë e medias brenda kufijve të BE-së dhe në mbarë botën.

“Po shohim gjithnjë e më shumë përpjekje për të frenuar hapësirën për median e lirë, gjithashtu për të minuar në mënyrë sistematike kredibilitetin e mediave. Shumë gazetarë kanë humbur jetën ose e kanë rrezikuar jetën e tyre për të vënë në pah të vërtetën”, ka thënë Mogherini, përmes një komunikate, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Shtypit të Lirë që shëhohet më 3 maj.

“Demokracia e shëndetshme mbështetet në një debat publik të hapur, të lirë dhe të ndershëm dhe është detyrë e jonë të mbrojmë këtë hapësirë dhe të mos lejojmë askënd të përhapë dezinformata që nxisin urrejtjen, ndarjen dhe mosbesimin në demokraci”, thuhet në deklaratë.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1993, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s.

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019 i publikuar më 18 prill nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.

XS
SM
MD
LG