Ndërlidhjet

Autoritetet amerikane dhe ruse diskutojnë për situatën në Venezuelë


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se kishte një "bisedë të mirë" me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, rreth Venezuelës dhe temave të tjera, ndërsa Lavrov i quajti bisedimet "konstruktive".

Të dy diplomatët u takuan gjatë samitit të Këshillit Arktik, që u mbajt në Finlandë.

Një ditë para takimit, Pompeo kërkoi që Rusia të "dalë jashtë" nga Venezuela.

“Është shumë e qartë, në i duam rusët jashtë Venezuelës, i duam iranianët jashtë, njëjtë edhe kubanezët”, tha Pompeo para nisjes për në takim më Lavrovin.

Takimi i diplomatëve erdhi pasi tensionet janë përshkallëzuar në Venezuelë.

Uashingtoni mbështet udhëheqësin opozitar të Venezuelës, Juan Guaido, dhe madje e ka quajtur atë president legjitim të vendit.

Ndërkohë, Moska ka dërguar këshilltarë ushtarakë në forcat qeveritare besnike ndaj presidentit të kontestuar, Nikolas Maduro.

Sekretari amerikan Pompeo megjithatë deklaroi se përkundër faktit se të dyja vendet kanë pozicione të ndryshme “ekziston dëshira për të bërë përparim të vërtetë në vendet ku kemi interesa të ndryshme".

Para se të niset për Finlandë, ministri rus Lavrov u takua me ministrin e Jashtëm venezuelian, Jorge Arreaza, dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se po udhëheqin "një fushatë të pashembullt" për të rrëzuar "autoritetet legjitime të Venezuelës".

"Përpjekjet për një grusht shteti të dhunshëm në Karakas nuk kanë të bëjnë fare me procesin demokratik dhe vetëm pengojnë perspektivat për zgjidhjen politike të krizës", tha Lavrov.

Trupat e Gardës Kombëtare në Venezuelë, më 1 maj, hodhën gaz lotsjellës ndaj protestuesve që tentuan të bllokonin një autostradë pranë një baze ajrore në Karakas, ku kreu i opozitës Juan Guaido, kishte bërë thirrje për një kryengritje ushtarake kundër presidentit të kontestuar Nicolas Maduro.

Rusia, Irani, Kina dhe Kuba janë ndër vendet që e mbështesin Maduron, i cili filloi një mandat të dytë në janar, pas zgjedhjeve të majit 2018, të përcjella me akuza për manipulim të votave.

Rusia, e cila ka lidhje të konsiderueshme ekonomike me qeverinë e Maduros, në mars dërgoi në Venezuelë aeroplanë që mbanin gati 100 ushtarakë. Qeveria e SHBA-së beson se aty kishte forca speciale dhe ekspertë të sigurisë kibernetike.

Pakënaqësitë në Venezuelë janë rezultat i situatës së rëndë ekonomike.

XS
SM
MD
LG