Ndërlidhjet

Dy deputetë të Venezuelës strehohen në ambasada të huaja


Pamje nga protestat në Venezuelë, foto nga arkivi.
Pamje nga protestat në Venezuelë, foto nga arkivi.

Tre pjesëtarë të opozitës në parlamentin e Venezuelës kanë kërkuar strehim në ambasadat e huaja, pasi kanë humbur imunitetin e tyre kongresional.

Ata kanë qenë në mesin e 10 ligjvënësve, të cilëve u është hequr imuniteti, pasi Gjykata Supreme ka thënë se ata duhet të hetohen për konspiracion, rebelim dhe tradhti.

Opozita e udhëhequr nga Juan Guaido ka tentuar të nisë rebelim ushtarak kundër presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro javën e kaluar.

Ai e ka shpallur veten president të përkohshëm në muajin janar, duke konsideruar se mandati i ri i Maduros është i jashtëligjshëm.

Legjitimiteti i tij është njohur nga 50 kombe, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të vendeve të Amerikës Latine, derisa Maduro vazhdon të ketë mbështetjen e Kinës dhe Rusisë.

Ministria e Jashtme e Italisë ka njoftuar se në ambasadën e këtij shteti është strehuar njëri nga deputetët derisa tjetri gjendet në ambasadën e Spanjës.

Situata në Venezuelë është përshkallëzuar prej kur Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm dhe ka mbajtur një varg protestash në rrugë.

Ai ka thënë për BBC-në së fundmi se nuk e përjashton mundësinë që t’i kërkojë ndihmë ushtarake SHBA-së për të intervenuar në këtë shtet.

Maduro në anën tjetër është kritikuar vazhdimisht për shkak të inflacionit të lartë dhe pretendimeve për abuzim me të drejta të njeriut.

XS
SM
MD
LG