Ndërlidhjet

Komisioni i Kuvendit fton Prokurorinë Speciale të hetojë rastin e dëbimit të shtetasve turq


Kuvendi i Kosovës

Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës, për rastin e dëbimit të shtetasve turq, ka miratuar të mërkurën draft raportin e tij.

Komisioni i cili ishte funksionalizuar në korrik të vitit të kaluar, për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka evidentuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit të shtetasve turq.

Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, ishin bërë nga dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

Kryetari i Komisionit, deputeti, Xhelal Sfeçla, gjatë një konference për media ka ftuar Prokurorinë Speciale që të merret me raportin e miratuar nga Komisioni dhe të fillojë hetimet.

“Prokuroria Speciale të merret seriozisht me raportin e miratuar, sidomos pas dëshmive të fundit ku është thelluar kontradiktat ndërmjet ish- shefi të Agjencisë se Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi dhe ish–shefi i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni sa i përket përgatitjeve paraprake të operacionit për dëbim”, ka thënë Sfeçla.

Nënkryetari i këtij Komisioni Parlamentar, Driton Selmanaj, theksoi se personat përgjegjës për rastin e dëbimit të shtetasve turq duhet të dalin para drejtësisë. Ai ka ftuar Prokurorinë Speciale të ndërmarrë veprime konkrete.

“Ky raport është i mirë me të gjetura faktike por do të ishte edhe më i plotë sikur ta kishim dëshminë e detajuar të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, pasi që mbrapa kësaj pune qëndron ai, por që për fatin e keq ai nuk ishte i gatshëm të dëshmojë”, tha Selmanaj.

Në një nga takimet e këtij Komisioni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte paraqitur për t’u intervistuar lidhur me dëbimin e shtetasve turq, por ai nuk e ofroi këtë dëshmi, duke thënë se Komisioni kishte bërë shkelje të mëdha ligjore në punën e tij.

Më 29 mars 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq.

Dëbimi i tyre ishte realizuar përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputetët, patën deklaruar se nuk kishin qenë fare të informuar lidhur me rastin.

XS
SM
MD
LG