Ndërlidhjet

Trump është i sigurt se Teherani do të kërkojë negociata


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ai është i sigurt se Teherani shumë shpejt do të kërkojë negociata me Uashingtonin dhe ka hedhur poshtë raportimet e mediave kinse ekzistojnë mospajtime brenda administratës së tij për politikën kundrejt Iranit.

“Jam i sigurt se Irani do të kërkojë të bisedojë shumë shpejt”, ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter pa dhënë detaje shtesë.

Deklaratat e tij vijnë pas komenteve që ka bërë më 9 maj, teksa është shprehur se nuk përjashton përballje ushtarake me Iranin.

Mirëpo ai më pas ka thënë se çfarë do të dëshironte të shihte tek Irani, është që “ata të më telefononin mua”.

Liderët iranianë në anën tjetër kanë kundërshtuar zhvillimin e ndonjë bisede me Uashingtonin.

Tensionet janë rritur mes këtyre dy shteteve prej majit të vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkuara janë larguar nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Sipas marrëveshjes, Irani është zotuar për frenim të aktivitetit bërthamor, në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare.

Kur ishte larguar nga kjo marrëveshje, Trump pati thënë se kushtet e këtij dokumenti nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për të parandaluar Iranin në të krijuarit e armëve bërthamore, si dhe nuk ka përmendur mbështetjen e këtij shteti për grupet militante në rajon.

Ndërkohë Trump ka kritikuar edhe raportimet në media rreth pretendimeve për mospajtime brenda ekipit të tij për qasjen ndaj Iranit.

“Washington Posti i rremë dhe New York Times edhe më i rremë, janë duke krijuar tregime se ka përplasje sa i përket qasjes në Lindje të Mesme. Nuk ka përplasje deri më tani. Mendimet e ndryshme janë shprehur dhe unë kam fjalën e fundit, është proces shumë i thjeshtë”, ka thënë ai po ashtu në Twitter.

XS
SM
MD
LG