Ndërlidhjet

Qeveria dhe opozita e Venezuelës po negociojnë në Norvegji


Foto nga njëra prej protestave të opozitës në venezuelë
Foto nga njëra prej protestave të opozitës në venezuelë

Qeveria dhe opozita e Venezuelës kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në Norvegji, për të marrë pjesë në bisedime për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të krizës në vend.

Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, konfirmoi përpjekjet e Norvegjisë për të ndërmjetësuar mes opozitës dhe qeverisë por tha se opozita nuk do të hyjë në ndonjë "negociatë false".

Opozita e Venezuelës ka thënë se presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro, ka përdorur negociatat e kaluara për të blerë kohë dhe nuk ishte i sinqertë në arritjen e kompromisit.

Nga ana tjetër, Maduro thotë se është i hapur për dialog dhe e akuzon opozitën se po përpiqet të marrë pushtetin me forcë.

Por, opozita këmbëngul se çdo proces diplomatik që synon zgjidhjen e krizës së Venezuelës duhet të rezultojë me rënien e qeverisë së Maduros, zëvendësimin e saj nga një administratë kalimtare dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kombet e Bashkuara thonë se Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, i përkrahë fuqishëm bisedimet në Norvegji midis qeverisë së Venezuelës dhe opozitës.

Kriza politike dhe humanitare në Venezuelë po vazhdon tash e sa muaj pasi presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro që ka mbështetjen e Rusisë, Kinës dhe disa vendeve tjera po vazhdon të qëndrojë në pushtet pavarësisht protestave dhe thirrjeve të opozitës për tu larguar nga posti.

Udhëheqësi i opozitës, Huan Guaido e ka shpallur vetën president i përkohshëm dhe është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore.

Nën udhëheqjen e Maduros, Venezuela është zhytur në krizë ekonomike dhe miliona njerëz e kanë lëshuar vendin si pasojë e varfërisë.

XS
SM
MD
LG