Ndërlidhjet

Kurti dhe Mustafa bisedojnë për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë


Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa (Foto arkiv)
Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa (Foto arkiv)

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, ka takuar sot kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

LDK-ja dhe VV-ja janë partitë më të mëdha opozitare në Kosovë.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, Kurti ka thënë se me Mustafën ka biseduar për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

"Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t'i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë", ka shkruar Kurti.

Kurse, në një komunikatë për media Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se dy liderët e partive opozitare diskutuan për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

"LDK vlerëson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme", thuhet në komunikatë.

"Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme", vijon më tutje komunikata e LDK-së.

Megjithatë, për të pasur sukses një mocion për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për suksesin e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë, nevojiten edhe 5 vota.

XS
SM
MD
LG