Ndërlidhjet

Policia e Kosovës nuk gjen mjet të dyshuar shpërthyes në Prishtinë


Ilustrim.
Ilustrim.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka liruar për qarkullim rrugën “Luan Haradinaj”, e cila ishte bllokuar në mesditë, pas dyshimeve se ishte vendosur një mjet shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë që gjenden aty, konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

Përmes një deklarate për media, Zyra për Informim e Policisë, ka thënë, që pavarësisht se autoritetet kanë pranuar thirrje telefonike, meqë rast, një mashkull ka pretenduar të ketë vendosur mjet shpërthyes afër këtyre insitucioneve, Policia e Kosovës nuk ka gjetur diçka të tillë.

“Sa i përket identifikimit të personit të dyshuar, i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyes, Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në identifikimin e personit dhe abonuesit të numrit të telefonit nga i cili është kryer kanosja”, është thënë ndër të tjera në deklaratë.

Më herët gjatë ditës, autoritetet e rendit i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se, kanë pranuar disa thirrje telefonike, dhe më pas kanë evakuuar stafin që ka qenë afër zonës ku është pretenduar se është vendosur mjeti shpërthyes.

XS
SM
MD
LG