Ndërlidhjet

SHBA-ja kërkon përkushtimin e Kosovës në normalizimin e raporteve me Serbinë


Flamuri i SHBA-së

Kosova duhet të mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në arritjen e normalizimit të raporteve me Serbinë, ka thënë në Prishtinë, drejtoresha e Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Susan Falatko.

Diplomatja amerikane e shoqëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett janë pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas një komunikate për media, nga zyra e presidentit të Kosovës, Thaçi ka shprehur përkushtimin për forcimin e fqinjësisë së mirë.

“Dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, me një mbështetje konsensuale të të gjitha shteteve të Kuintit”, është shprehur presidenti Thaçi, duke theksuar se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në këtë proces.

Delegacioni amerikan, sipas njoftimit, ka rikonfirmuar se SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar në avancimin e interesave bilaterale dhe rajonale.

Në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka potencuar disa herë se roli i SHBA-së është i pazëvëndësueshëm.

Një takim i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor i organizuar kohë më parë nga ana e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron u kritikua nga ana e presidentit të Kosovës, për shkak të mungesës së SHBA-së.

“Jo rastësisht kam diskutuar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ambasadën amerikane në Berlin rreth dy orë para takimit në Berlin, se roli i SHBA-së edhe në procesin aktual, atë të dialogut Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të arrihet një marrëveshje pa rolin dinamik dhe udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, pati deklaruar më 2 maj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Haradinaj: Marrëveshje përfundimtare me kufijtë ekzistues

Zyrtaren e lartë të SHBA-së e ka pritur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas një postimi në faqen e tij në Facebook, kryeministri Haradinaj ka thënë se në takim është diskutuar për rritjen e koordinimit ndërmjet Kosovës dhe partnerëve të saj strategjik, me fokus dialogun me Serbinë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, që përfshinë njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.

XS
SM
MD
LG