Ndërlidhjet

Shtetasi rus i UNMIK-ut dërgohet për trajtim mjekësor në Beograd


Zyrtari rus i UNMIK-ut Mikhail Krasnoshçekov, që u ndalua të martën gjatë aksionit të Policisë së Kosovës.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka njoftuar se pjesëtari rus i këtij misioni, që është arrestuar dhe më pas liruar në Kosovë, është duke u transferuar në Beograd për trajtim mjekësor.

Shtetasi rus, Mikhail Krasnoshçekov, dhe një pjesëtar tjetër i UNMIK-ut, janë arrestuar më 28 maj pasi janë gjendur në afërsi të disa barrikadave, përmes së cilave është tentuar të pengohet Policia e Kosovës, teksa ka qenë duke realizuar një aksion policor për arrestimin e zyrtarëve policorë dhe qytetarëve të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.

“Bazuar në vlerësimin e plotë të ekspertëve mjekësorë në spitalin e Mitrovicës së Veriut, dhe ekipit mjekësor të UNMIK-ut, është domosdoshme që anëtari i stafit tonë, një shtetas rus, të transferohet në një objekt që mund të ofrojë trajtim special për shkak të plagëve”, është thënë në deklaratë.

Sa i përket pjesëtarit të dytë, në deklaratë është thënë se gjendja e tij është stabile dhe po vëzhgohet nga afër.

Një ditë më parë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar heqjen e imunitetit të shtetasit rus dhe punëtorit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Në përgjigje të këtyre raportimeve, në deklaratë është thënë se secila kërkesë për heqje të imunitetit do të dërgohet nga UNMIK-u në selinë e Kombeve të Bashkuara dhe do të trajtohet në përputhje me procedurat e OKB-së.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, në bazë të Rregullores për statusin e personalit të UNMIK-ut dhe KFOR-it, ka të drejtë që të heqë imunitetin kujtdo në UNMIK, në qoftë se imuniteti, sipas mendimit të tij, do ta pengonte rrjedhën e drejtësisë dhe mund të hiqet pa prejudikimin e interesit të UNMIK-ut.

Kosova kërkon heqjen e imunitetit të shtetasit rus të UNMIK-ut

XS
SM
MD
LG