Ndërlidhjet

Haradinaj liron nga detyra e këshilltarit Sylejman Selimin


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ka liruar nga detyra këshilltarin e tij politik, Sylejman Selimi.

"Kam liruar nga detyra e këshilltarit politik Sylejman Selimin, me kërkesen e tij. Zotin Selimi e falënderova për kontributin e deritashëm në zyrën time politike", tha Haradinaj në një postim në Facebook, pa dhënë hollësi të tjera.

Në muajin shkurt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka kritikuar emërimin e Selimit, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pozitën e këshilltarit politik të Haradinajt.

“Kriminelët e luftës nuk e kanë vendin në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë atëbotë Kosnett.

Në vitin 2013, Selimi është arrestuar dhe më vonë është shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Në janar të këtij viti, një panel i themeluar nga Këshilli Gjyqësor e ka liruar Selimin me kusht nga vuajtja e dënimit me 6 vjet burg, pasi që ka kaluar mbi 5 vjet në burg.

Në shkurt të po këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës për krime të luftës e ka intervistuar Selimin në cilësinë e të dyshuarit.

XS
SM
MD
LG