Ndërlidhjet

Afganistani shtendos raportet me Pakistanin


Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani duke folur për raportet me Pakistanin.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani tha se më 27 qershor do të vizitojë Pakistanin, në një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe.

Raportet mes Afganistanit dhe Pakistanit shumë shpesh, në veçanti në periudhën e fundit, janë shoqëruar me mosbesim dhe akuza të dyanshme.

Presidenti Ghani tha se vizita u dakordua pasi takoi kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan, javën e kaluar, në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Arabinë Saudite.

"Unë shpresoj se vizita do të jetë pozitive", tha presidenti Ghani.

Kabuli ka kohë që ka akuzuar Pakistanin për strehimin e militantëve talibanë që kryejnë sulme brenda Afganistanit, por presidenti Ghani tha se kishte shpresë se vitet e mosbesimit mund të zëvendësohen nga besimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë.

Zalmay Khalilzad, i dërguari i SHBA-së për paqen në Afganistan, javën e kaluar zhvilloi bisedime në Islabamad me zyrtarë të lartë pakistanezë, përfshirë Khanin dhe shefin e ushtrisë Qamar Javed Bajwa.

Pakistani kohët e fundit ka ofruar mbështetje për përpjekjet e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës pothuajse 18-vjeçare të Afganistanit.

Khalilzad ka zhvilluar disa raunde bisedimesh me militantët në Katar. Palët kanë bërë përparim, por talibanët deri tani kanë kundërshtuar negociatat e drejtpërdrejta me Kabulin.

XS
SM
MD
LG