Ndërlidhjet

Ministri gjerman në Iran, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore


Teheran, 10 qershor 2019.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, takoi homologun e tij iranian, Mohammad Javad Zarif, gjatë një vizite në Teheran.

Përpara udhëtimit, Maas shfaqi shpresën se bisedimet do t'i ndihmojnë të dyja palët për të gjetur "rrugë konstruktive" për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore.

Nënshkruesit evropianë të marrëveshjes - Franca, Britania dhe Gjermania - po përpiqen ta shpëtojnë atë, pas tërheqjes së SHBA-së në vitin 2018 dhe rikthimit të sanksioneve amerikane kundër ekonomisë iraniane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se kushtet e marrëveshjes së vitit 2015 nuk kanë qenë mjaft të ashpra për ta penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Sipas Trumpit, marrëveshja nuk e ka adresuar as programin e Iranit me raketa balistike, as rolin e tij në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Në Teheran, Maas tha se "ka përparësi ekonomike që i janë premtuar Iranit dhe që është vështirë të realizohen pa amerikanët".

"Por, unë mendoj se ka edhe interesa politike dhe strategjike në ruajtjen e kësaj marrëveshjeje... Kjo duhet të pranohet në Teheran", tha Maas.

Irani ka kërcënuar me braktisje të marrëveshjes bërthamore, nëse nuk gjenden mënyra për ta ndihmuar ekonominë e tij.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara ia kanë bllokuar shumë eksporte të naftës, që janë burim kryesor i të ardhurave në Republikën Islamike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi, i kritikoi të hënën nënshkruesit evropianë të marrëveshjes, duke thënë se, deri më tani, Irani nuk ka parë "hapa praktikë dhe të prekshëm nga evropianët, që do të garantonin interesat e tij".

XS
SM
MD
LG