Ndërlidhjet

Gazetat kryesore ruse dalin në mbështetje të gazetarit të arrestuar


"Ne jemi Ivan Golunov" në ballinat e tri gazetave ruse.

Tri nga gazetat kryesore të Rusisë dolën në mbështetje të gazetarit Ivan Golunov, i cili ndodhet në arrest shtëpiak, nën akuzat që lidhen me narkotikët.

Ballinat e gazetave "Vedomosti, "RBC" dhe "Kommersant" shkruanin: "Ne jemi Ivan Golunov".

Ai u akuzua në fundjavë për përpjekje për të shitur drogë ilegalisht.

Akuzat hidhen poshtë nga gazetari, i cili raportohet të jetë rrahur gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim, javën e kaluar.

Golunov, 36 vjeç, është gazetar i pavarur, i cili ka kontribuar në një numër të mediave, përfshirë ueb-faqen e lajmeve, Meduza, me qendër në Letoni.

Arrestimi i tij çoi në diskutime të nxehta në mesin e përdoruesve të mediave sociale në Rusi, ku shumë prej tyre i akuzuan autoritetet për përpjekje për të kufizuar lirinë e shtypit.

Autoritetet ruse, deri më tani, nuk e komentuan rastin.

Shumica e mediave të Rusisë thuhet se kontrollohen nga shteti.

Organizata Freedom House e rendit Rusinë të 83-tën, në mesin e 100 vendeve, për lirinë e shtypit.

XS
SM
MD
LG