Ndërlidhjet

Vuçiq e fton Trumpin në Beograd, i kërkon ndihmë për Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i uroi presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ditëlindjen dhe e ftoi të vizitojë Serbinë.

"Me vizitën tuaj do të konfirmonit se dëshira për lidhje më të forta dhe më të pasura serbo-amerikane është e dyanshme dhe qytetarët e Serbisë do të dinë ta respektojnë dhe vlerësojnë", shkroi Vuçiq në urimin dërguar Trumpit, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiq po ashtu citohet të ketë thënë se është i inkurajuar nga fakti se Trump u kushton vëmendje zhvillimeve në Ballkan dhe se disa herë ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.

"Siç e dini edhe vetë, përmes problemit të Kosovës kryqëzohen të drejta dhe interesa jo vetëm të Beogradit dhe Prishtinës, por edhe të faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, me ç'gje bëhet edhe burim i manipulimit dhe paqëndrueshmërisë politike", tha Vuçiq.

Ai shtoi se të gjithë qytetarët e Serbisë e dinë se Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të veçantë me Kosovën, duke e konsideruar atë si shtet të pavarur, të cilin e kanë mbështetur dhe ndihmuar gjithmonë.

Vuçiq tha se kjo është pikërisht arsyeja përse dëshiron ta lusë Trumpin që të ndikojë te Prishtina për ta hequr taksën që u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Kjo taksë, që ka nisur të aplikohet qysh në nëntor të vitit të kaluar, është bërë shkak për ndërprerjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiq insiston se dialogu nuk do të vazhdojë pa u hequr taksa. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se taksa nuk hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

Më shumë në këtë temë:

SHBA insiston në pezullimin e taksës për t’i dhënë rast dialogut

Palmer: SHBA-ja nuk është e gatshme që të vulosë çfarëdo marrëveshjeje

XS
SM
MD
LG