Ndërlidhjet

Kritika Bjellorusisë për ekzekutimin e një të dënuari me vdekje


Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Titus Corlatean.
Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Titus Corlatean.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e "dënoi ashpër" ekzekutimin e fshehtë të një bjellorusi, derisa rasti i tij ishte ende në shqyrtim nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara.

Raportuesi i përgjithshëm i këtij institucioni mbi heqjen e dënimit me vdekje, Titus Corlatean, tha se me ekzekutimin e Alyaksandr Zhylnikaut, "Bjellorusia ka treguar edhe një herë se nuk vepron plotësisht me standardet evropiane" dhe se "zbatimi i dënimit me vdekje vazhdon të parandalojë zhvillimin e marrëdhënieve më të thella të Bjellorusisë me Këshillin e Evropës".

"E përsëris thirrjen time për autoritetet bjelloruse që të vënë moratorium mbi dënimin me vdekje, si një hap drejt heqjes së plotë të tij. Është e vetmja rrugë përpara", tha Corlatean.

Qendra për të drejtat e njeriut me bazë në Minsk "Vyasna" citoi të afërmit e Zhylnikaut më 13 qershor të kenë thënë se ai është ekzekutuar.

Mbetet e paqartë nëse personi i dytë i dënuar në këtë rast, Vyachaslau Sukharka, është ekzekutuar po ashtu.

Sukharka dhe Zhylnikau u shpallën fajtorë për vrasjen e tre personave dhe u dënuan me burgim të përjetshëm në dhjetor të vitit 2015.

Në korrik të 2017-ës, Gjykata Supreme pranoi një apel nga prokurorët dhe rasti u dërgua për rigjykim, ku dy personat morën dënimin me vdekje.

Në të njëjtën kohë, Zhylnikau paraqiti një ankesë pranë Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, i cili kërkoi nga autoritetet bjelloruse "të shmangnin kryerjen e dënimit me vdekje" para shqyrtimit të ankesës së të dënuarit nga ana e Komitetit.

Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë dhe Azi qendrore që zbaton dënimin me vdekje.

XS
SM
MD
LG