Ndërlidhjet

Ushtari amerikan nuk shpallet fajtor për vrasjen e një luftëtari të IS-it


Ilustrim

Një pjesëtar i marinës amerikane nuk u gjet fajtor për vrasjen e një luftëtari të plagosur të grupit militant Shteti Islamik (IS), që ndodhej nën kujdesin e tij në vitin 2017, në qytetin Mosul të Irakut.

Gjykata ushtarake në San Diego e shpalli Edward Gallagherin të pafajshëm nga të gjitha akuzat, përveçse për fotografitë me trupin e një robi të vdekur.

Dënimi maksimal për fotografitë me një kufomë është katër muaj, por Gallagher ka shërbyer tashmë nëntë muaj në paraburgim.

Dy ushtarë nën komandën e Gallagherit dëshmuan se ata e panë atë duke e therur të plagosurin në qafë.

Prokurorët ushtarakë po ashtu argumentuan se mesazhet dhe fotografitë e Gallagherit ishin inkriminuese.

Në disa prej tyre Gallagher dukej duke mbajtur militantin e vdekur nga flokët dhe duke mbajtur një thikë në dorën tjetër.

Por, avokatët mbrojtës të Gallagherit argumentuan se akuzat kundër tij janë fabrikuar nga ushtarë të pakënaqur të grupit të tij që donin ta largonin nga komanda.

Një gjeneral irakian dëshmoi se Gallagher nuk e ka goditur luftëtarin e Shtetit Islamik.

Një rreshter i marinës amerikane po ashtu dëshmoi se Gallagher e ka lëvizur trupin e militantit, pasi ai ka vdekur nga plagët e marra në një sulm ajror, dhe se ai nuk ka parë plagë në qafën e militantit.

XS
SM
MD
LG